Fjalor
Libër që përmban fjalë (morfema, fraza, fjali) të renditura zakonisht sipas rendit alfabetik me qëllim të përshkrimit dhe analizës së tyre. Fjalorët shpjegojnë kuptimin e njësive të përshkruara, japin informacione të ndryshme rreth tyre (cilit grup fjalësh i përkasin, origjina, përdorimi i tyre etj.), jepet përkthim në gjuhë të tjera etj. Fjalorët janë veçanërisht të rëndësishëm për kulturën shpirtërore të një shoqërie të caktuar, sepse në to sistemohen njohuritë nga një periudhë e caktuar kohore. Varësisht nga objekti i përshkrimit, fjalorët ndahen në enciklopedikë dhe gjuhësorë. Fjalorët enciklopedikë ose më saktë enciklopeditë janë libra në të cilët shpjegohen sende, dukuri, nocione, jepen informacione për persona, ngjarje historike etj. Ato ndahen në të përgjithshme dhe të specializuara. Të përgjithshmet japin informacion për persona dhe arritje të rëndësishme në të gjitha sferat shoqërore, ndërsa ato të specializuara në një fushë të caktuar. Këtu përfshihen fjalorët terminologjikë dhe leksikonet, si p.sh., nga fusha e mjekësisë, kimisë, informatikës etj. Fjalorët gjuhësorë shpjegojnë kuptimet e fjalëve, shenjat gramatikore të fjalëve, origjinën, drejtshkrimin dhe përdorimin e drejtë të tyre. Fjalorët në të cilët është mbledhur i gjithë leksiku i një gjuhe të caktuar quhen thesarë, të cilët përmbajnë interpretime të fjalëve, sinonimet, antonimet etj., si dhe përdorimin e zakonshëm. Fjalorët gjuhësorë ndahen në dy grupe: interpretues (njëgjuhësh) dhe përkthyes (dygjuhësh ose shumëgjuhësh).