Strukturalizëm
Term i shekullit të 20-të që mbulon një gamë të gjerë fushash shkencore, si: gjuhësia, kritika letrare, psikanaliza, antropologjia sociale. Themelues i këtij drejtimi është gjuhëtari zviceran Ferdinand de Sosir me veprën e tij “Kursi në Gjuhësinë e Përgjithshme” (e botuar në vitin 1916 nga studentët e tij sipas shënimeve të ligjëratave), sipas të cilit gjuha konsiderohet si strukturë, si sistem shenjash. Prandaj është e lidhur ngushtë me semiologjinë, përkatësisht me semiotikën. De Sosir bën një dikotomi midis gjuhës dhe të folurit, ku gjuha është një sistem shenjash, rregullash dhe përdorimesh të mundshme, dhe të folurit është një përdorim konkret i gjuhës. De Sosir thotë se shenja gjuhësore është e dyanshme dhe përmban ‘koncept’ dhe ‘imazh akustik’ (concept dhe imageacoustique). Më vonë, ai i zëvendëson këto terma me ‘i shënuar’ dhe ‘shënues’ (signifié dhe signifier), të cilat janë të pranuara gjerësisht në gjuhësi. Ai e mbështet argumentin për arbitraritetin e shenjës gjuhësore, me përjashtim të fjalëve onomatopeike dhe beson se shenja nuk korrespondon drejtpërdrejt me atë të cilës i referohet, por përbën një impresion (përshtypje) mendor të tingullit. Parimet themelore të De Sosirit janë:
1. arbitrariteti i shenjës dhe 2. karakteri linear i shënuesit. Sipas tij, marrëdhënia (relacioni) mes dy anëve të shenjës është thjesht arbitrare, e pamotivuar dhe konvencionale. Parimi i linearitetit i referohet faktit që nuk mund të shqiptohen njëkohësisht më shumë tinguj, por ndodh në mënyrë lineare. Modeli i De Sosirit njihet edhe si modeli binar. Edhe termet sinkroni dhe diakroni lidhen me De Sosirin. Përveç De Sosirit, strukturalistë të njohur janë: Klod Levi-Stros, Zhak Llakan, Rollan Bart, Mishell Fuko etj.