Antitezë
Kundërshtim, përqasje; lidhje e përmbajtjeve me kuptim të kundërt ose qëndrime të kundërta, për shkak të lidhshmërisë më të madhe gjuhësore në tekstet mediatike. Arrihet me:
1. Mjete gjuhësore që shprehin kundërshtim – fjalë me kuptim të kundërt (qesh:qan), forma foljore pohore dhe mohore (rri:nuk rri), fjali kundërshtore (Nuk janë të frikësuar, por të dëshpëruar), negacion leksikor (i pashëndetshëm, askund, amoral, çekuilibër), negacion apo forma mohore para emrit (Botoi fjalor, e jo roman:… e nuk botoi roman), mohore e inkorporuar (humbi-nuk arriti të);
2. Fjalë me kuptim të kundërt në fjali të përsëritura me strukturë të njëjtë (Paraja është gjithçka, paraja është asgjë); 3. Fjali kundërshtore , në të cilat nuk ka fjalë me kuptim të kundërt (Ata ndërtuan park, e ne fituam shpërblim). Me dikotominë e theksuar sjell qartësi dhe dinamizëm në shprehje; në gjuhën e mediave haset në tituj, parulla reklamuese, në përmbajtjen e fjalisë. P.sh., Vaksinat u harxhuan, virusi ka marrë hov të madh; Meny e thjeshtë – formë e përkryer; Zakonisht u lejon, por tani urdhëroi të mos debatojnë; Uji i qetë i korrupsionit e gërreu bregun e lavdisë; Surfoni pak, paguani shumë?/Surfoni shumë, mos paguani asgjë.